
Shumë stres në marrëdhënie nuk vjen sepse njerëzit janë “të këqij” por vjen sepse njerëzit heshtin për një kohë të gjatë.
Heshtim kur diçka na lodh.
Heshtim kur ndihemi të papërfillur.
Heshtim kur diçka na bën të ndihemi jo rehat.
Dhe pastaj një ditë… shpërthejmë.
Problemi nuk është që kemi nevoja. Problemi është kur presim që të tjerët t’i kuptojnë pa i shprehur kurrë. Menaxhimi i stresit nuk fillon vetëm me frymëmarrje apo qetësim por fillon kur mësojmë të themi:
“Ka diçka që po më rëndon.”
“Kjo më lëndon.”
“Kjo nuk më bën të ndihem mirë.”
“Të dua, por duhet të flasim.”
Njerëzit emocionalisht të shëndetshëm nuk janë ata që nuk kanë ankesa. Janë ata që arrijnë të shprehen pa poshtëruar, pa agresion ndaj tjetrit dhe pa humbur veten. Të flasësh me qetësi është formë maturie. Kujdesi dhe menaxhimi i stresit nuk na ndihmon vetëm ne por edhe marrëdhëniet me njerëzit që na rrethojnë.
Disa shembuj që ne hasim nga jeta e përditshme:
-Një nxënës kthehet i lodhur nga shkolla dhe pas presionit nga mësimet dhe provimet, fillon të debatojë me familjen për gjëra të vogla. Në vend që të flasë për stresin që ndjen, ai reagon me zemërim dhe fjalë të ashpra. Çfarë ndodh: “Jam i lodhur” → “Askush nuk e kupton sa presion kam” → “Po më bezdisin edhe për gjëra të vogla” → “Nuk më lënë rehat” → “Po më trajtojnë sikur s’bëj asgjë mirë” → zemërim → debat/agresion verbal.
-Një person që ka pasur një ditë të vështirë në punë nervozohet në trafik dhe fillon të bërtasë dhe fillon të konfliktohet me drejtues të tjerë për një gabim. Çfarë ndodh: “Sot shkoi keq puna” → “Jam i ngarkuar mendërisht” → “Dua vetëm të shkoj në shtëpi” → “Paska trafik pafund” → “Edhe ky po ma rëndon ditën” → “Njerëzit janë idiotë” → humbje kontrolli → britma/konflikt.
-Në familje, kur prindërit janë të stresuar nga problemet ekonomike, ata mund të humbasin durimin më shpejt dhe të komunikojnë me tone të ashpra me fëmijët apo njëri-tjetrin. Çfarë ndodh: “Nuk po ia dalim dot me këto shpenzime” → “Kam frikë për të ardhmen” → “Po më rritet tensioni” → fëmija bën një gabim të vogël → “S’kam nerva më” → reagim i ashpër → faj/shqetësim më pas.
-Kur dikush nuk pushon mjaftueshëm dhe mban gjithmonë tension brenda vetes, edhe një koment i thjeshtë nga një mik mund ta bëjë të shpërthejë në nerva apo konflikt. Çfarë ndodh: “Jam i lodhur prej kohësh” → “Nuk po e mbaj dot më këtë ritëm” → “Ky koment ironik po më acaron, e paska me mua” → reagim impulsiv → konflikt.
Linja e Këshillimit për Burra dhe Djem mbetet një mbështetje kyçe për luftën kundrejt dhunës ne familje dhe asaj me bazë gjinore duke ofruar shërbim të specializuar për rehabilitimin e autorve të dhunës.
Nëse gjendeni përballë një situate të tillë na kontaktoni në numrat tanë;
Tel:(04)2363712
Cel:+355674132552
Gjithashtu mund të na kontaktoni në inboxin e faqes në facebook si edhe në Instagram:
@behu.burre
@Linja Këshillimit për Burra dhe Djem
