Një studim i realizuar në Shqipëri nga Marsela Allmuça, në kuadër të disertacionit të doktoraturës në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, në vitin 2026, ka shqyrtuar funksionimin e shërbimeve të trajtimit dhe rehabilitimit të autorëve të dhunës me bazë gjinore, si dhe rolin e Mekanizmave të Koordinuar të Referimit në nivel lokal.
Në studim u përdor një metodologji e kombinuar sasiore dhe cilësore. Komponenti sasior përfshiu 365 profesionistë, anëtarë të Mekanizmave të Koordinuar të Referimit në 61 bashki të Shqipërisë. Ndërsa komponenti cilësor përfshiu intervista gjysmë të strukturuara me 9 profesionistë që ofrojnë shërbime rehabilitimi për autorët e dhunës dhe 13 persona që kishin marrë pjesë në këto programe.
Rezultatet treguan se, pavarësisht ekzistencës së një kuadri ligjor dhe institucional për adresimin e dhunës me bazë gjinore, integrimi i shërbimeve të rehabilitimit të autorëve të dhunës në mekanizmat lokalë të koordinimit mbetet i kufizuar dhe i pabarabartë në bashkitë e vendit. Studimi evidentoi se nivelet më të larta të trajnimit dhe përvojës profesionale të punonjësve shoqëroheshin me njohuri më të mëdha ligjore dhe perceptime më pozitive mbi efektivitetin e qasjes së koordinuar. Gjithashtu, u identifikuan vështirësi që lidhen me burimet e kufizuara institucionale dhe aksesin e pamjaftueshëm në programet e rehabilitimit. Përvojat e personave që kishin marrë pjesë në këto programe sugjeruan se ndërhyrjet rehabilituese mund të ndihmojnë në reflektimin personal, përmirësimin e menaxhimit të zemërimit dhe rritjen e motivimit për ndryshimin e sjelljes.
Në këtë kontekst, studimi thekson rëndësinë e përfshirjes së programeve të trajtimit dhe rehabilitimit të autorëve të dhunës si pjesë e një qasjeje të koordinuar institucionale. Ai nënvizon gjithashtu nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e aksesit në shërbimet e rehabilitimit, me qëllim parandalimin e përsëritjes së dhunës dhe garantimin e sigurisë së viktimave.
Gjetjet e këtij studimi kontribuojnë në kuptimin më të mirë të rolit të autorëve të dhunës në procesin e parandalimit të dhunës me bazë gjinore, duke vënë në dukje se mbrojtja e viktimave duhet të shoqërohet edhe me ndërhyrje të strukturuara për trajtimin e autorëve, marrjen e përgjegjësisë personale dhe ndryshimin e sjelljes së tyre.
Linku i studimit: [Marsela Allmuça – Universiteti i Tiranës (2026)] https://unitir.edu.al/en/marsela-allmuca-qasja-e-koordinuar-ne-adresimin-e-dhunes-me-baze-gjinore-situata-e-sherbimeve-te-trajtimit-te-dhunuesve/?utm_source
